DELEGACIONI I FONDIT KOMBËTAR TË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE TË HUNGARISË VIZITOI AGJENCINË E SIGURIMIT TE DEPOZITAVE

Publikuar më: 14-05-2024


Bazuar në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit ndërmjet Fondit Kombëtar të Sigurimit të Depozitave të Hungarisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, e cila synon shkëmbimin e informacionit dhe përvojës profesionale në fushën e sigurimit të depozitave dhe financimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, nënshkruar më 21 tetor 2022, një delegacion tre anëtarësh i FKSD të Hungarisë, vizitoi Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në Tiranë, në datat 10-12 prill. Vizita kishte për qëllim diskutimin mbi rishikimin që po i bëhet aktualisht direktivës së sigurimit të depozitave të Bashkimit Evropian, si dhe për zhvillimet aktuale në dy skemat e sigurimit të depozitave.

Bazuar në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të lidhur në fund të vitit 2022, zyrtarët hungarezë dhe shqiptarë të sigurimit të depozitave prezantuan sistemet dhe funksionimin e skemave të sigurimit të depozitave si dhe financimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në të dy vendet, përkatësisht të ngritura në vitet 1993 dhe 2002, ashtu si dhe fushat përkatëse të së drejtës që preken nga rregulloret e Bashkimit Evropian që janë në shqyrtim që nga prilli 2023.

Marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-hungareze janë veçanërisht të rëndësishme duke marrë në konsideratë që prania e bankës tregtare më të madhe hungareze, Banka OTP, në Shqipëri është rritur ndjeshëm në periudhën e fundit, si rezultat i së cilës filiali shqiptar i Bankës OTP është tashmë banka e pestë më e madhe në Shqipëri dhe një nga katër bankat me rëndësi sistemike.

Një vit më parë, në mesin e prillit 2023, Komisioni i Bashkimit Evropian publikoi paketën e tij të propozimeve për ndryshime në kuadrin ligjor për menaxhimin e krizave dhe sigurimin e depozitave, i cili pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në legjislacionin kombëtar të shteteve anëtare në fushën e sigurimit të depozitave dhe financimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në të ardhmen e afërt. Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po përshtat gradualisht kuadrin e saj ligjor të sigurimit të depozitave dhe financimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme me kërkesat e BE-së dhe për këtë arsye ka një interes të qenësishëm për përvojën hungareze të 20 viteve të fundit.

Me rastin e këtij takimi profesional, krahas çështjeve të BE-së, palët shqyrtuan, ndër të tjera, mundësitë e avancimit të teknologjisë së informacionit në procedurat e kompensimit të depozitave, çështjet aktuale të sigurisë së informacionit lidhur me sigurimin e depozitave, duke përfshirë në veçanti çështjet e sigurisë kibernetike, ndryshimin e rolit të institucioneve të sigurimit të depozitave në rrjetin e sigurisë financiare, në lidhje me masat parandaluese dhe alternative, si dhe roli i siguruesve të depozitave në procesin e likuidimit të subjekteve anëtare të skemës.