BERZH 100 milionë Euro kredi për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave në Shqipëri. Fuqizim i sektorit financiar në vijim të pandemisë Covid-19

Publikuar më: 11-06-2021


  • BERZH do të sigurojë 100 milionë Euro kredi për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave
  • Promovimi i stabilitetit financiar dhe sigurisë në sektorin bankar pas Covid-19
  • Bashkëpunim teknik për të fuqizuar kapacitetet operacionale dhe mirë-qeverisjen e ASD

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ofrojë një linjë kredie prej 100 milionë Euro për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave që do të ndikojë në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe sigurisë së klientëve.

Huaja e garantuar plotësisht nga qeveria shqiptare do të ofrojë likuiditetin e nevojshëm për të adresuar pasojat potenciale të pandemisë Covid-19 në ekonomi. Fondet do të jenë të disponueshme, nëse do të nevojiten, për të kompensuar depozituesit e siguruar dhe ruajtur besimin e klientëve banka private dhe tregtare të ASD.

Presidentja e BERZH Odile Renaud-Basso tha: “Jemi shumë të lumtur të nënshkruajmë këtë marrëveshje sot, që simbolizon një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e sektorit financiar në Shqipëri dhe dëshmon për angazhimin e BERZH. Ne jemi të vendosur të mbështesim Shqipërinë në rimëkëmbjen e saj si pasojë e ndikimit potencial të pandemisë në ekonomi dhe dëshirojmë ta shohim vendin të rikthehet sa më shpejt tek një rritje e fortë dhe e qëndrueshme. Për këtë është thelbësor, një sektor bankar me stabilitet dhe siguri ku ne jemi plotësisht të angazhuar të kontribuojmë.”

Anila Denaj, Ministre e Financës dhe Ekonomisë tha: “Firmosja e kësaj marrëveshje është përmbyllja e suksesshme e një procesi të gjatë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare, ASD dhe BERZH. Linja e kredisë prej 100 milionë Euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave është një shenjë besimi dhe mbështetjeje e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndaj ekonomisë shqiptare dhe institucioneve të sektorit financiar.”

Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave tha: “Marrëveshja që nënshkruam sot me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është në përputhje me objektivat tanë ligjorë për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të kontribuar në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar. Kjo linjë kredie konsiderohet si një mekanizëm më shumë, i cili shton elementet tona të sigurisë, pasi do të forcojë kapacitetin financiar të skemës së sigurimit të depozitave duke garantuar likuiditetin e nevojshëm në rast të ngjarjeve të sigurimit brenda një kohe shumë të shkurtër. Ajo gjithashtu do të rrisë nivelin e mbrojtjes te depozituesve, si në nivelin e depozitave të siguruara, ashtu edhe në nivelin e institucioneve financiare.

Krahas kësaj, do të mundësohen 270, 000 Euro në formën e një programi të bashkëpunimit teknik të financuar nga Luxembourg ODA Technical Co-operation Fund  që do të rrisin kapacitetet operacionale dhe mirëqeverisëse të ASD-së. Projekti përfshin prezantimin e një sistemi të automatizuar pagesash, modernizimin e sistemit të brendshëm të raportimit dhe vendosjen e themeleve për prezantimin e një modeli të përllogaritjes së primit të bazuar në diferencimin e rrezikut. 

ASD u themelua në vitin 2002 si një institucion publik i pavarur. Misioni i saj është të mbrojë depozituesit individualë dhe të paguajë për depozitat e siguruara në rast  falimenti të bankave me një objektiv gjithëpërfshirës për të rritur stabilitetin në sistemin bankar dhe financiar në Shqipëri. BERZH e ka mbështetur institucionin me financim dhe asistencë teknike për herë të parë në vitin 2013.

BERZH është një investitor lider institucional në Shqipëri. Deri më sot Banka ka investuar mbi 1.5 miliardë Euro në 112 projekte në vend.

ADIA_EBRD_signing-ceremony

Image 3 of 3