Agjencia e Sigurimit të Depozitave prezanton Raportin Vjetor për vitin 2021 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Publikuar më: 28-04-2022


Bazuar në nenin 7, pika 1 të Ligjit Nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë prezantoi, më datë 27.04.2021, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Raportin Vjetor për veprimtarinë e institucionit përgjatë vitit 2021.

Në fjalën e tij, Z. Mamani ju prezantoi deputetëve të Komisionit projektet kryesore të zhvilluara nga stafi i Agjencisë. Fillimisht ai informoi Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave janë realizuar plotësisht. Në vijim Z. Mamani vlerësoi se projektet e realizuara në funksion të zbatimit të këtyre rekomandimeve dhe drejtimeve strategjike të përcaktuara nga Agjencia janë zhvilluar në bashkëpunim me partnerët strategjikë si Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka Botërore, BERZH, etj.

Në vijim, anëtarët e Komisionit u informuan për ecurinë e depozitave në sistemin bankar dhe atë të shoqërive të kursim kreditit. Sipas të dhënave të administruara nga Agjencia, depozitat në të gjitha kategoritë sipas klasifikimeve kanë shënuar rritje gjatë vitit 2021. Gjithashtu, Z. Mamani raportoi se edhe fondet e administruara nga Agjencia janë karakterizuar nga trende rritëse, duke ofruar në këtë mënyrë garanci të mëtejshme për depozituesit e siguruar.

Në përfundim të raportimit të Agjencisë dhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financat, u vlerësua puna e Agjencisë si dhe u dhanë rekomandimet përkatëse që institucioni duhet të këtë në vëmendje për përmirësimin e aspekteve të ndryshme të veprimtarisë së tij.

Raportimi-KEF 2

Image 2 of 2