Agjencia e Sigurimit të Depozitave organizon mbledhjen e 40të të siguruesve të Evropës dhe Seminarin teknik me temë “Planet e Kontigjencës, Menaxhimi i Krizave dhe Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”.

Publikuar më: 08-04-2019


Agjencia e Sigurimit të Depozitave në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (International Association of Deposit Insurers-IADI) organizoi mbledhjen e Komitetit Rajonal të Evropës (Europe Regional Committee-ERC) të IADI-t si dhe seminarin teknik me temë “Planet e Kontigjencës dhe Menaxhimi i Krizave/Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”, në datat 4 dhe 5 Prill 2019.

Komiteti Rajonal i Evropës (KRE) është komiteti më i madh rajonal i IADI-t duke qenë se në të marrin pjesë pothuajse të gjitha institucionet e sigurimit të depozitave të Evropës. Në fjalën e hapjes të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Z. Genci Mamani, duke i uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve nënvizoi rëndësinë që kanë mbledhjet e KRE duke qenë se ato ofrojnë mundësi për shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin nga praktikat më të mira në fushën e sigurimit të depozitave.

Në mbledhjen e KRE, e cila organizohej për herë të parë në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, u diskutuan zhvillimet më të fundit rajonale dhe në juridiksione të veçanta sa i takon sigurimit të depozitave. Gjithashtu, temë e diskutimeve ishte dhe roli i KRE dhe aktivitetet përkatëse në funksion të Objektivave Strategjikë të IADI-t.

Takimi vjetor i KRE u përshëndet dhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko. Në fjalën e tij Guvernatori Sejko, vuri theksin te bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të rrjetit të sigurisë financiare, si një element kyç në administrimin me efikasitet të sistemit financiar e bankar si dhe në përballimin me sukses të situatave që mund të kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve të mbikëqyrjes financiare. Në këtë këndvështrim, duke iu referuar bashkëpunimit me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, Guvernatori Sejko tha se “Marrëdhënia ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme dhe përgjatë viteve ka marrë formën e një partneriteti dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm, duke i mundësuar institucioneve tona të përmbushin misionet e tyre, që në fakt plotësojnë njëri-tjetrin”.

Aktiviteti i organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në të cilin merrnin pjesë 70 përfaqësues nga 28 juridiksione të ndryshme, vazhdoi me seminarin teknik në lidhje me “Planet e Kontigjencës, Menaxhimin e Krizave dhe Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”. Qëllimi kryesor i seminarit teknik ishte diskutimi i thelluar i Parimeve Themelore për Skema Efektive të Sigurimit të Depozitave 6 dhe 14 të  IADI-t duke eksploruar proceset dhe politikat e nevojshme që i duhen një skeme të sigurimit te depozitave për hartimin e një Plani Kontigjence duke përdorur mjetet dhe burimet e duhura për të përballuar në mënyrë efektive një krize të mundshme financiare si edhe rastet e ndërhyrjes se jashtëzakonshme. Gjatë dy ditëve të seminarit teknik pjesëmarrësit patën mundësinë, përmes sesioneve teorike dhe praktike, të njiheshin dhe diskutonin me prezantimet dhe rastet studimore të ekspertëve nga Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Kosova, Holanda, Polonia, Rumania, Rusia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuar si dhe Qendra Këshillimore e Sektorit Financiar të Bankës Botërore.

Seminari u përshëndet gjithashtu, nga Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Znj. Natasha Ahmetaj, e cila tha se krijimi dhe ruajta e besimit të publikut është nja nga funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave merr një rëndësi thelbësore. Në fjalën e saj, Znj. Ahmetaj tha se, Banka e Shqipërisë ka draftuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat sistemike dhe këto plane janë konsultuar plotësisht me ASD-në. Në lidhje me këtë, Zv. Guvernatorja Ahmetaj theksoi se, pa opinionin e institucionit të sigurimit të depozitave asnjë plan i ndërhyrjes së jashtëzakonshme nuk mund të konsiderohet i besueshëm. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja dhe prezantimi Z. Dominique Laboureix, anëtar i Bordit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (BNJ) të Bashkimit Evropian si dhe Drejtor për Planifikimin dhe Vendimmarrjen në këtë organizëm. Ai i njohu pjesëmarrësit me zhvillimet më të fundit në kuadrin rregullator evropian të ndërhyrjes së jashtëzakonshme si dhe përqasjen e BNJ kundrejt sfidave me të cilat përballet.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zgjidhjen e situatave problematike financiare, në punimet e seminarit teknik merrnin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë si dhe përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.