Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Fondin e Sigurimit të Depozitave të Turqisë.

Publikuar më: 11-10-2019


Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë (ASD) nënshkroi me Fondin Turk të Sigurimit të Depozitave (Savings Deposit Insurance Fund of Turkey – SDIF) të Republikës së Turqisë një Marrëveshje Bashkëpunimi. Marrëveshja u nënshkrua, më 7 Tetor 2019, në Stamboll, Turqi,  me rastin e mbledhjes vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Z. Genci Mamani dhe Z. Muhiddin Gülal President dhe Kryetar i Bordit Drejtues të SDIF.

Institucionalizimi i bashkëpunimit midis autoriteteve të sigurimit të depozitave të Shqipërisë dhe Turqisë, përfaqëson një hap të rëndësishëm për Agjencinë në zbatimin e prioriteteve strategjike të përcaktuara në planin afatmesëm të institucionit. Marrëveshja zyrtarizon urat e bashkëpunimit institucional ndërmjet të dy autoriteteve përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe  forcimit të kapaciteteve njerëzore në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim, Agjencia vlerëson se marrëveshja është një zhvillim domethënës duke marrë në konsideratë eksperiencën e SDIF si një nga institucionet e para të krijuara për këtë qëllim (krijuar në vitin 1983) dhe që ka një mandat të gjerë që shtrihet nga sigurimi i depozitave, zgjidhja bankare, rimarrja, etj. Me këtë rast drejtuesit e të dy institucioneve shprehën angazhimin reciprok për të zbatuar protokollet e marrëveshjes dhe për të shtrirë bashkëpunimin në të gjitha disiplinat me interes të përbashkët.