Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkruan kontratën me bankat agjente të përzgjedhura në listën paraprake për periudhën 2021-2023

Publikuar më: 28-01-2021


Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka nënshkruar kontratën me bankat agjente të përzgjedhura fituese në procedurën e zhvilluar për këtë qëllim, në kuadër të zbatimit të rregullores “Për kompensimin e depozitave të siguruara”, miratuar me urdhër të Guvernatorit nr. 3762, datë 18.07.2016. Nga kjo procedurë, me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave nr. 39, datë 15.12.2020, janë përzgjedhur fituese Banka Kombëtare Tregtare sh.a., Banka Credins sh.a. dhe Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a., të cilat do të kryejnë këtë funksion për vitet 2021-2023.

Banka agjente është një nga elementët thelbësorë për realizimin me sukses të një procesi kompensimi, në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë. Banka agjente garanton kryerjen e pagesave të kompensimit në emër dhe për llogari të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Procesi i përzgjedhjes së Bankës Agjente kalon në dy faza. Faza e parë është vlerësimi i bankave anëtare të skemës, sipas kritereve të përgjithshme dhe teknike të miratuara në rregulloren “Për kompensimin e depozitave”. Kjo fazë u mbyll me përzgjedhjen dhe nënshkrimin e kontratës me këto tre banka. Pas vendosjes në listën paraprake, bankat agjente do të jenë pjesë e ushtrimeve të simulimit si dhe të trainimeve të posaçme për të realizuar me sukses një proces të pagesave për kompensimin e depozituesve.

Ndërsa, faza e dytë përfshin vlerësimin e ofertave ekonomike nga bankat e përzgjedhura në listën paraprake për kryerjen e procesit të kompensimit, në rast të vendosjes së një subjekti në likuidim të detyruar nga Banka e Shqipërisë.