Takim me bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave

Data e fillimit: 16/12/2020
Data e mbarimit 16/12/2020
Vendndodhja:

Pershkrimi:

Në kuadër të takimeve periodike që Agjencia organizon me bankat anëtare të skemës të sigurimit të depozitave, në datë 16 dhjetor 2020, Agjencia zhvilloi takimin e rradhës, me përfaqësues të të gjithë bankave. Ky takim kishte për qëllim vijimin e trajnimit të punonjësve të bankave, të cilët janë në kontakt me klientelën, si përcjellësit e parë dhe më të rëndësishëm të informacionit për sigurimin dhe kompensimin e depozitave.

Në veçanti, gjatë takimit Agjencia theksoi rëndësinë e zbatimit me korrektësi të kërkesave të kuadrit ligjor dhe rregullativ për sigurimin e depozitave lidhur me informimin e depozituesve, si element i rëndësishëm për përballimin e situatave të krizave dhe sidomos për realizimin me sukses të procesit të kompensimit. Agjencia për t’u siguruar për nivelin dhe cilësinë e dijeve profesionale të punonjësve të bankave, lidhur me sigurimin dhe kompensimin e depozitave bankare, shpërndau një pyetësor për të testuar njohuritë e përgjithshme të punonjësve, në lidhje me procesin e kompensimit të depozitave.

Gjithashtu, në fokus të diskutimeve ishte rritja e gatishmërisë së subjekteve për ngarkimin e shpejtë dhe të saktë të skedarëve për kompensim, në sistemin elektronik të Agjencisë, me qëllim përgatitjen e listë pagesës me të dhënat unike të depozituesve si edhe vlerësimi i këtij procesi nga Agjencia, nëpërmjet organizimit të simulimeve teknike dhe të përgjithshme. Agjencia theksoi se në vitin 2021, do të vijojë organizimin e simulime teknike me bankat anëtare të skemës, duke synuar një afat më të shkurtër të realizimit të simulimeve teknike, si edhe rritje cilësore të raportimit të skedarëve, në sistemin elektronik të Agjencisë.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u adresua gjatë takimit, ishte informimi i bankave pjesëmarrëse, me projektin strategjik të Agjencisë “Platforma e përmirësimit të cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe depozitave në sistemin bankar”, i cili do të fillojë zbatimin në vitin 2021. Agjencia vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe kërkoi bashkëpunimin e ngushtë në vijimësi me bankat anëtare të skemës, në funksion të përmirësimit të cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe depozitave.

Në përfundim të takimit, Agjencia falenderoi subjektet anëtare të skemës, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në funksion të forcimit dhe përmirësimit të skemës së sigurimit të depozitave.