Java globale e parasë 14 – 18 Mars 2016

Data e fillimit: 14/03/2016
Data e mbarimit 18/03/2016
Vendndodhja: Tirana

Pershkrimi:

Shoqata Shqiptare e Bankave në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Arsimit dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, organizoi “Javën Globale të Parasë”.
Java Globale e Parasë si një nismë ndërkombëtare, e cila synon edukimin financiar të publikut në përgjithësi dhe të brezit të ri më në veçanti, u shoqërua me aktivitete të shumta edukuese për fëmijë dhe të rinj si konkurse ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme, konkurse të studentëve të ekselencës, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, vizita në banka të nivelit të dytë, seminare, leksione, etj.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, u përfaqësua në këtë event të rëndësishëm në disa aktivitete si në takimin me temë “Nevoja e një strategjie kombëtare për edukimin financiar”, leksionin e hapur me studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës dhe në konkurset e zhvilluara me nxënësit dhe studentët.
ASD si një nga institucionet e rrjetit të sigurisë financiare në vend, i kushton një vëmendje gjithnjë e më të madhe edukimit financiar të publikut. Synim kryesor është informimi, komunikimi dhe ndërgjegjësimi për skemën e sigurimit të depozitave në Shqipëri, rolin e saj në përfitim të depozituesve dhe ndikimi në tregun bankar dhe në stabilitetin financiar në vend.