Statuti

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i Statutit

Ky statut përcakton parimet bazë të organizimit dhe administrimit institucional, administrativ dhe operacional të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (më poshtë referuar “Agjencia”).

Neni 2

Baza ligjore dhe personaliteti juridik

1. Agjencia ushtron veprimtarinë e saj në mbështetje dhe në zbatim të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” (referuar më poshtë “ligji”) dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
2. Agjencia është ent publik me statusin e personit juridik dhe gëzon pavarësi operacionale dhe financiare nga çdo subjekt tjetër, në zbatim të dispozitave të ligjit.
3. Agjencia mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit.

Neni 3

Vula dhe stema

1. Agjencia identifikohet me stemën dhe vulën e saj zyrtare.
2. Stema dhe vula zyrtare përdoren së bashku me nënshkrimet e autorizuara të Agjencisë.
3. Stema zyrtare e Agjencisë ka një kuadrat të kuq rrethues dhe në qendër të tij një katror të zi. Në krah të stemës shkruhet “Agjencia e Sigurimit të Depozitave” dhe sipër saj “Republika e Shqipërisë”.
4. Vula zyrtare e Agjencisë ka në qendër stemën e Republikës së Shqipërisë dhe rreth saj shkruhen “Republika e Shqipërisë” dhe “Agjencia e Sigurimit të Depozitave”.
5. Agjencia mund të ketë edhe vula datare.
6. Stema, vula zyrtare dhe vulat datare përdoren në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

KREU II

MISIONI, ORGANIZIMI, DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI I AGJENCISË

Neni 4

Misioni

Misioni i Agjencisë është administrimi i skemës së sigurimit të depozitave me qëllim përmbushjen e objektivave publikë të skemës në mbështetje dhe në zbatim të ligjit.

Neni 5

Organizimi

1. Agjencia organizohet dhe drejtohet nga Këshilli Drejtues dhe administrohet nga Drejtori i Përgjithshëm.
2. Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm në ushtrimin e funksioneve të tyre ligjore mbështeten nga veprimtaria e njësive organizative të Agjencisë.

Neni 6

Këshilli Drejtues

1. Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës për veprimtarinë e Agjencisë.
2. Në zbatim të ligjit, Këshilli Drejtues ka edhe kompetencat e mëposhtme:
a) miraton stemën dhe vulën zyrtare të Agjencisë, mënyrën e përdorimit, si dhe ndryshime të plota ose të pjesshme të tyre;
b) miraton ndryshimin e vendndodhjes së selisë së Agjencisë në Tiranë;
c) miraton pasqyrat financiare tremujore të Agjencisë;
d) miraton raportet tre mujore mbi realizimin e buxhetit të Agjencisë;
e) propozon për miratim në Autoritetin Mbikëqyrës akte nënligjore me efekt rregullator dhe dhe udhëzues për subjektet anëtare të skemës;
f) propozon në Autoritetin Mbikëqyrës ndryshimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Drejtorit të Përgjithshëm;
g) përcakton treguesit e performancës dhe mbi to vlerëson Drejtorin e Përgjithshëm në administrimin e Agjencisë.
h) miraton rregulloren e personelit, të treguesve të performances në punë të punonjësve dhe kontratën tip të punës në Agjenci.
i) miraton krijimin e komiteteve të specializuara, që mund të kenë në përbërje anëtarët e Këshillit Drejtues, punonjësit e Agjencisë, dhe specialistë të jashtëm.
3. Këshilli Drejtues kryesohet nga Kryetari. Të drejtat dhe detyrimet e Kryetarit të Këshillit Drejtues janë:
a) të përfaqësojë dhe shprehë qëndrimin e Këshillit në marrëdhënie me të tretët dhe për këtë përfaqësim të informojë Këshillin;
b) të caktojë dhe ndjekë në mënyrë të vazhdueshme realizimin e detyrave të ngarkuara prej tij ose nga mbledhja e Këshillit;
c) të planifikojë dhe realizojë mbledhjet për analiza periodike ose tematike mbi punën e Agjencisë ose Këshillit;
d) të nënshkruajë vendime, akte dhe shkresa të tjera të dala nga Këshilli Drejtues i Agjencisë.

Neni 7

Mbledhjet e Këshillit Drejtues

1. Këshilli Drejtues, ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e tij në bazë të ligjit, nëpërmjet mbledhjeve të anëtarëve të tij dhe marrjes së vendimeve kolegjiale.
2. Këshilli Drejtues zhvillon mbledhjet, si rregull, në selinë e Agjencisë.
3. Procedurat e zhvillimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues përcaktohen në ligj dhe në rregulloren “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të Këshillit Drejtues”.
4. Si rregull, vendimet e Këshillit Drejtues miratohen me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të tij të pranishëm në mbledhje.
5. Këshilli Drejtues, miraton me jo më pak se katër vota pro të anëtarëve të tij, vendimet për:
a) miratimin dhe ndryshimin e Statutit të Agjencisë;
b) propozimin e ndryshimit të anëtarit të Këshillit Drejtues;
c) propozimin e ndryshimit të Drejtorit të Përgjithshëm;
6. Anëtari i Këshillit Drejtues ka të drejtën e një vote, vetëm kur është i pranishëm personalisht në mbledhje. Si përjashtim nga ky rregull, në raste të veçantë, urgjente e tepër të rëndësishme, Këshilli Drejtues miraton vendime edhe pa u mbledhur, nëpërmjet votimit me shkrim ose mjeteve të sigurta të komunikimit të teknologjisë së informacionit (vendime qarkulluese).

Neni 8

Drejtori i Përgjithshëm

1. Drejtori i Përgjithshëm vepron si drejtor ekzekutiv i Agjencisë, mbikëqyr dhe administron veprimtarinë e njësive organizative të saj.
2. Në zbatim të ligjit, Drejtori i Përgjithshëm ka edhe kompetencat e mëposhtme:
a) Përfaqëson Agjencinë, si dhe nënshkruan ko.rrespondencën zyrtare të Agjencisë me të tretët;
b) Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues, paraqet raportin vjetor të Agjencisë, si dhe raporton në lidhje me të, pranë Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Autoritetit Mbikqyrës;
c) Emëron, shkarkon ose liron nga detyra punonjësit e Agjencisë, sipas kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshilli Drejtues i Agjencisë;
d) Paraqet propozime në Këshill Drejtues për drejtimin, motivimin dhe përmirësimin e punës së njësive organizative të Agjencisë, si dhe strukturës organizative të saj;
e) Propozon në Këshillin Drejtues nivelin dhe strukturën e pagave e shpërblimeve të punonjësve të Agjencisë, të Drejtorit të Përgjithshëm dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues, si dhe ndryshimet në to;
f) Miraton shpërblimet suplementare, ndihmat ekonomike dhe përfitimet e tjera për personelin, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Drejtues;
g) Krijon grupe pune për trajtimin e problemeve të ndryshme;
h) Propozon për miratim në Këshillin Drejtues pasqyrat financiare tre mujore të Agjencisë;
i) Propozon për miratim në Këshillin Drejtues raportet tre mujore mbi realizimin e buxhetit të Agjencisë;
j) Raporton në mënyrë periodike dhe përgjigjet para Këshillit Drejtues të Agjencisë mbi veprimtarinë e njësive organizative të Agjencisë, në veçanti, për çështjet kryesore që lidhen me:
– zbatimin e akteve të nxjerra nga Këshilli Drejtues dhe Autoriteti Mbikëqyrës në zbatim të ligjit;
– çdo ndryshim në aktet ligjore dhe nënligjore që prekin veprimtarinë e Agjencisë; – marrëdhëniet e Agjencisë me Autoritetin Mbikëqyrës, me subjektet anëtare të skemës dhe organet e tjera publike e shtetërore që lidhen me veprimtarinë e Agjencisë;
– fakte ose ngjarje që mund të prekin veprimtarinë institucionale, administrative dhe juridike të Agjencisë;
– gjendjen e subjekteve anëtare të skemës;
3. Drejtori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhëra dhe opinione.
4. Në rastin kur Drejtori i Përgjithshëm mungon ose është në pamundësi për të vepruar, këto kompetenca i njihen një personi tjetër të caktuar nga Këshilli Drejtues.

KREU III
VEPRIMTARIA EKZEKUTIVE

Neni 9

Veprimtaria e Agjencisë

1. Agjencia funksionon nëpërmjet njësive organizative në përputhje me strukturën e miratuar me vendim të Këshillit Drejtues.
2. Njësitë organizative janë përgjegjëse për ushtrimin e veprimtarisë ekzekutive të Agjencisë.

Neni 10

Personeli

1. Marrëdhëniet e punës të personelit të Agjencisë rregullohen nga Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, ky statut dhe aktet e tjera të nxjerra nga Këshilli Drejtues i Agjencisë.
2. Anëtarët e personelit punësohen dhe stimulohen në bazë të parimeve të kualifikimit, transparencës, barazisë së palëve dhe jo diskriminimit.

Neni 11

Nënshkrimet e autorizuara

1. Agjencia përfaqësohet dhe merr përsipër të drejta dhe detyrime nëpërmjet nënshkrimeve të autorizuara bazuar në dispozitat e këtij statuti, vendimeve të Këshillit Drejtues apo të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, ose marrëdhënieve kontraktore me të tretë.
2. Nënshkrimet e autorizuara janë i vetmi element juridik i vlefshëm i përfaqësimit për administrimin dhe drejtimin e Agjencisë.
3. Plotfuqishmëria e nënshkrimeve të autorizuara dhe tagrat e përfaqësimit, përcaktohen në Rregulloren për nënshkrimet e autorizuara.

Neni 12

Konfidencialiteti

Anëtarët e Këshillit Drejtues, Drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit e Agjencisë administrojnë informacionin konfidencial të përfituar nga kryerja e detyrave në Agjenci në përputhje me dispozitat e ligjit, aktet nënligjore të Agjencisë, si dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 13

Administrimi i mjeteve financiare

1. Agjencia administron fondin e kompensimit të depozitave në banka dhe fondin e kompensimit të depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit në përputhje me dispozitat e ligjit dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
2. Agjencia harton, zbaton dhe përshtat politikat për administrimin e mjeteve financiare, brenda kufijve dhe në përputhje me parimet e parashikuara në ligj, me qëllim përmbushjen në kohë të detyrimeve ndaj depozituesëve.
3. Agjencia mund të lidhë marrëveshje me Ministrinë e Financave, Autoritetin Mbikqyrës dhe institucionet financiare ndërkombëtare me qëllim sigurimin e likuiditetit dhe mjeteve financiare shtesë për përmbushjen e objektivave dhe funksioneve të saj.
4. Agjencia harton dhe zbaton procedura për parashikimin në kohë të deficitit për fondet e kompensimit të depozitave.

KREU IV
KONTROLLI

Neni 14

Subjektet kontrolluese

1. Veprimtaria e Agjencisë kontrollohet nga auditues të brendshëm, auditues të jashtëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
2. Këshilli Drejtues shqyrton raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vlerëson rekomandimet e lëna, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre nga strukturat e Agjencisë.

Neni 15

Kontrolli i brendshëm

1. Auditi i brendshëm emërohet nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe raporton pranë tij.
2. Veprimtaria e auditimit të brendshëm të Agjencisë realizohet nëpërmjet shërbimit të kontraktimit. Auditi i brendshëm i kontraktuar ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me kuadrin ligjor për auditimin e brendshëm në sektorin publik.
3. Këshilli Drejtues miraton planin strategjik dhe vjetor të auditit të brendshëm.
4. Këshilli Drejtues shqyrton dhe miraton raportet e auditit të brendshëm, si dhe mbikëqyr zbatimin nga strukturat e Agjencisë të rekomandimeve të lëna.

Neni 16

Kontrolli i jashtëm

1. Auditi i jashtëm i specializuar emërohet nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe raporton pranë tij.
2. Auditi i jashtëm i specializuar kryen auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Agjencisë në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit.
3. Këshilli Drejtues shqyrton raportin e auditit të jashtëm të specializuar mbi pasqyrat financiare, vlerëson rekomandimet e lëna, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre nga strukturat e Agjencisë.

KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 17

Informimi i publikut

1. Agjencia ndërton dhe zhvillon në vazhdimësi faqen zyrtare të internetit, nëpërmjet së cilës publikon ndër të tjera informacionin e mëposhtëm:
a) Veprimtarinë e Agjencisë;
b) Mënyrën e funksionimit të skemës së sigurimit të depozitave;
c) Kuadrin ligjor që rregullon skemën e sigurimit të depozitave, në veçanti aktet e nxjerra nga Këshilli Drejtues me karakter të përgjithshëm;
2. Agjencia ka të drejtë të përcjellë informacione edhe nëpërmjet mjeteve të tjera të komunikimit publik, si dhe të publikojë broshura, fletëpalosje etj.

Neni 18

Statistika

1. Agjencia mbledh, përpunon dhe publikon statistika lidhur me depozitat, me qëllim krijimin e evidencave të nevojshme për administrimin e skemës së sigurimit të depozitave. 2. Dërgimi i statistikave në institucione të tjera financiare ose studimore bëhet në bazë të marrëveshjeve të lidhura me këto institucione për shkëmbimin e informacionit, ose në mungesë të tyre, në bazë të kërkesës së institucionit të interesuar dhe me miratim të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 19

Dispozita kalimtare

1. Aktet e nxjerra nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe Drejtori i Përgjithshëm, para hyrjes në fuqi të këtij statuti, do të vazhdojnë të zbatohen për aq kohë sa nuk bien në kundërshtim me ligjin për sigurimin e depozitave dhe me këtë statut. Këto akte mund të shfuqizohen vetëm nga organi që i ka nxjerrë.
2. Të githa çështjet që nuk përcaktohen në këtë statut do të rregullohen sipas legjislacionit në fuqi.
3. Ky statut është i disponueshëm për publikun në çdo kohë. Statuti publikohet në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë

Genc Mamani
KRYETAR I KESHILLIT DREJTUES