Kreu / Per Bankat
Informacione per SHKK!
- Përfshirja në Skemë
- Në vëmëndje të SHKK
- Përllogaritja e Primit
- Raportim Elektronik
- Verifikimi
- Materiale Informuese
Një objektiv shumë i rëndësishëm i skemës së sigurimit të depozitave ishte pikërisht dhe zgjerimi i saj duke përfshirë dhe shoqëritë e kursim kreditit, si subjekte financiare të konsoliduara nga pikpamja e aktivitetit të tyre financiar duke kontribuar kështu edhe në rritjen e besimit, në sistemet financiare, por edhe në stabilitetin financiar të vendit.
Viti 2016 shënoi mbylljen me sukses të këtij procesi sfidues për përfshirjen e shoqërive të kursim kreditit, në skemën e sigurimit të depozitave. Zgjerimi i skemës së sigurimit të depozitave me këto institucione u realizua në zbatim të ligjit nr. 39/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/14, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, si dhe në përputhje me rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë.
Procesi i përfshirjes së shoqërive të kursim-kreditit në skemë, është kryer në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë me Bankën e Shqipërisë. Marrja e informacionit për numrin e shoqërive të kursim-kreditit që pas transformimeve mbanin ende licencën e marrë nga Autoriteti Mbikëqyrës, verifikimi i përbashkët në këto shoqëri, e deri marrja e vendimeve e dhënia e çertifikatës së sigurimit të depozitave është bërë në këtë frymë bashkëpunimi.
Menjëherë me botimin në fletore zyrtare të ligjit nr. 39/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/14, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, si dhe në vijim të vitit 2016, Agjencia ka kryer takime informuese me përfaqësues të të gjithë shoqërive të kursim kreditit për plotësimin e kushteve për përfshirjen në skemë.
Fillimisht, u asistuan të gjitha SHKK-të e licensuara të dorëzonin brenda afatit kohor ligjor, 31 maj 2016, kërkesën për anëtarësim në skemën e sigurimit të depozitave.
Menjëherë pas kësaj u krye raundi i parë i verifikimit në të gjitha Shoqëritë e Kursim Kreditit që kishin dërguar kërkesën për anëtarësim në skemë. Në raportin e verifikimit u lanë rekomandime, me qëllim përmirësimin e punës për plotësimin e kërkesave për anëtarësim në skemë.
Pas afatit kohor të parashikuar në aktet nënligjore të Agjencisë, u krye raundi i dytë i verifikimit, në lidhje me korrigjimet e mangësive të gjetura në verifikimin e parë. Në përfundim dhe mbi bazën e këtij procesi, Këshilli Drejtues i Agjencisë mori vendimin për dhënien e vërtetimit për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave, si dhe refuzimin e kërkesës për anëtarësim për ato Shoqëri të Kursim-Kreditit, të cilat nuk plotësonin kushtet.
Më datë 30 nëntor 2016, Agjencia e Sigurimit të Depozitave u dha certifikatën e sigurimit të depozitave Shoqërive të Kursim-Kreditit, të cilat plotësonin kushtet për anëtarësim në skemë. Nga trembëdhjetë Shoqëri të Kursim-Kreditit që paraqitën kërkesën për anëtarësim në skemën e sigurimit të depozitave, vetëm pesë prej tyre plotësuan saktë dhe në kohë të gjitha kushtet për anëtarësim.
Në mbështetje të këtij procesi, Agjencia ndërtoi shtesë në Sistemin Informatik për Raportim dhe Kompensim për SHKK-të. Ky sistem ka si objektiv kryesor qendërzimin e informacionit elektronik të raportuar në Agjenci nga SHKK-të, për llogaritjen e primit tremujor për secilën SHKK dhe kompensimin e shpejtë dhe efektiv në rast të një ngjarjeje sigurimi të një SHKK-je.
Ky projekt është mundësuar nga një grant i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe kontributit të The Financial Services Volunteer Corps (FSVC), përmes asistencës së ekspertëve të nivelit të lartë nga The Federal Deposit Insurance Corporation (FDIC), për hartimin e termave të referencës.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) që prej vitit 2002 është institucioni përgjegjës për administrimin e skemës së sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë. ASD siguron depozitat tuaja në çdo shoqëri kursim-krediti (shkk) dhe kompenson ato deri në nivelin maksimal 2.000.000 lekë, në rast se shkk-ja nuk është më në gjendje të paguajë depozitat tuaja.
Vetëm shkk-të anëtare të skemës së sigurimit të depozitave lejohen të ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë. Anëtarësimi i tyre në skemë është i detyrueshëm.
PËRFITUES nga skema e sigurimit të depozitave është çdo depozitues anëtar i shkk-së: individ, tregtar dhe shoqëri tregtare, rezident ose jorezident, shqiptar ose i huaj, i cili ka depozitë në një shkk, në lekë ose në monedhë të huaj, sipas ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar.
Sigurimi i depozitave në shkk fillon nga data 1 Janar 2017
Si anëtare në skemën e sigurimit të depozitave, shkk që anëtarësohen për herë të parë në skemë paguajnë kontribut fillestar dhe më pas primet vjetore për sigurimin e depozitave të depozituesve të tyre. Në rast se një shkk nuk ka mundësi të paguajë depozitat për arsye të cilat lidhen direkt me gjendjen e saj financiare, ASD-ja i kompenson depozituesit duke përdorur këto kontribute, si dhe fitimet nga investimi i tyre.
Për një kompensim të saktë dhe të shpejtë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar në vend, është shumë e rëndësishme:
1. Hedhja e saktë e të dhënave për depozituesin dhe depozitën:
- Regjistrimi i saktë i të dhënave identifikuese të depozituesit (Emër, mbiemër, numër personal, atësia, datëlindja, nudokument identifikimi).
- Regjistrimi i saktë i të dhënave kontaktuese të depozituesit (Numër telefoni, adresë banimi, adresë email-i).
- Regjistrimi i saktë i të dhënave për depozitën (Numri i llogarisë, shuma, norma e interesit të aplikuar, monedha, titullari i depozitës, numri i titullarëve të depozitës & përqindja e tyre në depozitë).
2. Ndërgjegjësimi dhe informimi i saktë i depozituesit:
- Shkk-ja duhet të ndërgjegjësojë klientët e saj në lidhje merëndësinë e përditësimit të të dhënave të tij, pas çdo ndryshimi të mundshëm.
- Shkk-ja duhet të informojë saktë klientët që:
a. Kufiri maksimal i sigurimit për çdo depozitues është 2,000,000 lekë, për çdo shkk.
b. Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucioni i vetëm që siguron dhe kompenson depozitat e depozituesve të shkk-ve në Republikën e Shqipërisë.
c. Sigurohen të gjitha depozitat e depozituesve në shkk që ushtrojnë aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Mënyra e përllogaritjes së primit tremujor
Primi për periudhën e marrë si shembull 1 janar 2017 – 31 mars 2017:
- Hapi i parë: përllogaritet mesatarja aritmetike e shumës së depozitave të siguruara:
Shënojmë me
- “Mt Mn Mdh” – shumën e depozitave të siguruara në lekë për secilën ditë të fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm (Tetor, Nëntor, Dhjetor 2016).
- A – mesatarja aritmetike e shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në SHKK për secilën ditë të fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
- Hapi i dytë: llogaritja e shumës së primit të parë tremujor P1 (ku 0,075% është norma e primit tremujor)
A × 0.075 ÷ 100 = P1 (lekë)
Ky prim paguhet brenda datës 15 janar 2017.
Mënyra e përllogaritjes të primit shtesë
Duke vijuar shembullin më sipër supozojmë se sh.k.k. – ja ka thyer treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të muajit janar 2017:
Mënyra 1
Hapi i parë: përllogaritet koeficienti i primit shtesë për një muaj (ku 0,3% është norma vjetore e primit shtesë):
0.3÷100÷12 = 0.00025
Hapi i dytë: përllogaritet primi shtese Pshtesë:
0.00025 × A = Pshtesë (lekë)
Mënyra 2
P1 ÷ 3 = Pshtesë (lekë)
Ky prim paguhet sipas njoftimit të Agjencisë.
Për me shumë informacion kliko këtu
Raportim elektronik
Sistemi Informatik për Raportim dhe Kompensim ka si objektiv kryesor qëndërzimin e informacionit elektronik të raportuar në ASD nga shkk-të, përllogaritjen e primit vjetor për secilën shkk dhe kompensimin e shpejtë dhe efektiv në rast zgjidhjeje të saj. Ky projekt është mundësuar me anë të një granti të BERZH dhe kontributit të FSVC, përmes ekspertëve të nivelit të lartë FDIC, për hartimin e termave të referencës dhe vlerësimit të ecurisë së tij.
Funksionet kryesore të sistemit
Sistemi informatik i Agjencisë dhe raportimi i të dhënave në të nga shkk-të funksionon në mënyrë të tillë që të sigurojë:
a) Gadishmërinë e të dhënave në çdo kohë për identifikimin e depozituesit në mënyrë unike në sistem nëpërmjet të dhënave identifikuese të depozituesit, ku përcaktohet saktë shuma që Shkk i detyrohet këtij depozituesi, të cilën edhe e siguron pranë Agjencisë.
b) Përqendrimin e informacionit lidhur me depozitat dhe depozituesit, mbi baza individuale dhe/ose të agreguara.
c) Vlerësimin e saktësisë së të dhënave identifikuese të depozituesve në regjistrat elektronikë të subjekteve.
d) Vlerësimin e saktësisë të përllogaritjes të shumës së siguruar.
e) Vlerësimin e saktësisë të përllogaritjes të primit periodik.
f) Mundësinë e qasjes së menjëhershme tek të dhënat mbi depozitat dhe depozituesit për të kryer vlerësimin e saktë të shumës së kompensimit në rast simulimi ose ngjarjeje sigurimi.
g) Përmbushja e kushteve dhe parametrave të raportimit edhe nga palët e treta të cilat u ofrojnë shërbime Shkk-ve anëtare për përmbushjen e kërkesave të këtij udhëzimi dhe në zbatim të ligjit për sigurimin e depozitave.
h) Përdorimin dhe/ose publikimin e informacionit nga Agjencia për qëllime studimore si dhe për vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të sigurimit të depozitave.
Rregullat e Raportimit Elektronik
Për qëllim të përllogaritjes të shumës së sigurimit shkk-të ngarkojnë, çdo muaj brenda datës 10 të muajit pasardhës, skedarët me të dhëna mbi:
a) Depozitat – të dhënat e llogarive të lidhura me depozitat për individët, tregtarët dhe shoqëritë tregtare në shkk.
b) Depozituesit – të dhënat e detajuara të depozituesit që e identifikojnë saktësisht atë.
Për çdo tremujor brenda datës 10 të muajit pasardhës të tij, shkk raporton në Agjenci primin e përllogaritur për çdo depozitues dhe ngarkon skedarin përkatës në sistem.
Në rast procesi kompensimi ose simulimi, Shkk-së do t’i kërkohet të ngarkojë skedarë ditorë me të dhëna mbi:
a) Depozitat – të dhënat e llogarive të lidhura me depozitat për individët, tregtarët dhe shoqëritë tregtare në Shkk.
b) Depozituesit – të dhënat e detajuara të depozituesve që i identifikojnë ata saktësisht.
c) Kreditë – Kreditë e detajuara të lidhura me depozitat që janë vënë si garanci për këto kredi.
d) Pozicioni i netuar i depozituesve – depozituesit në pozicionin e netimit.
Agjencia ka të drejtë të kërkojë raportim nga Shkk-të në çdo moment për qëllime të veçanta dhe të paparashikuara me qëllim zbatimin e objektivave publikë të veprimtarisë së saj.
Formulari i kërkesës për përdorues në sistemin informatik për raportim dhe kompensim
Për sigurimin e depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit