Takimi i 7-të rajonal i EFDI Ballkan

Publikuar më: 07-02-2019


Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori pjesë në takimin e 7-të rajonal të EFDI Ballkan, i organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Bosnje dhe Hercegovinës, i cili u zhvillua në Vlasic, Bosnje nga data 31 Janar deri më 3 Shkurt 2019. Në këtë takim, pjesëmarrësit ndanë zhvillimet e fundit në skemat e tyre të sigurimit të depozitave. Ndër të tjera, u diskutuan ndryshimet e fundit strukturore në Bosnje dhe Kroaci, zhvillimet e fundit lidhur me një ngjareje kompensimi në Mal të Zi, roli i sistemeve IT në një process kompensimi, ushtrimet e simulimit si teste të rëndësishme për gatishmërinë operacionale të skemës së sigurimit të depozitave, etj.

Ky takim ndjek një traditë të vazhdueshme takimesh mes autoriteteve të sigurimit të depozitave të rajonit të Ballkanit (Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia), të formalizuar edhe në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar prej tyre, të cilët kanë karakteristika të ngjashme në sistemet e tyre bankare e financiare, me qëllim diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive me njëri tjetrin.

Forumi Europian i Siguruesve të Depozitave (European Forum of Deposit Insurers-EFDI) është një organizatë europiane e siguruesve të depozitave, në të cilën Agjencia është anëtare, me qëllim kontributin në stabilitetin e sistemeve financiare nëpërmjet bashkëpunimit në nivel europian dhe ndërkombëtar në fushën e sigurimit të depoziave, zgjidhjen e krizave, shkëmbimit të eksperiencave dhe informacioneve etj. EFDI gjithashtu angazhohet në konsultime të instrumentave rregullativë europianë me institucione të Bashkimit Europian, veçanërisht Direktivës për skemat e garantimit të depozitave, me institucione të rëndësishme si Komisioni Europian, Parlamenti Europian, etj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë duke pasur parasysh relatat e saj me BE-në dhe statusit të saj si vend kandidat.