Njoftim për shtyp: “Simulim i procesit të kompensimit: Faza përgatitore dhe e kompensimit”

Publikuar më: 03-10-2017


Në vijim të Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur ndërmjet palëve, Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondi i Sigurimit të Depozitave të Republikës së Kosovës organizuan në Prishtinë ushtrimin e simulimit të përbashkët dy ditor, nga data 28-29 Shtator 2017, me temë “Simulim i procesit të kompensimit: Faza përgatitore dhe e kompensimit”. Një aktivitet i tillë ushtrimor organizohet për herë të parë, mbas një angazhimi disa mujor të të dy institucioneve. Në të morën pjesë stafet përkatëse të ASD-së dhe FSDK-së.

Ushtrimi i simulimit u drejtua dhe u mbikëqyr nga drejtuesit ekzekutiv të dy institucioneve, përkatësisht Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i ASD-së dhe Znj.Violeta Arifi-Krasniqi, Drejtore Menaxhuese e FSDK-së.

Sipas skenarit të përgatitur dhe të dakortësuar, ushtrimi i simulimit u krye në dy faza. Faza e I-rë Simulimi i Fazës Përgatitore dhe Faza e II-të Simulimi i Fazës së Kompënsimit. Në fazën e parë, ekipet e të dy agjencive punuan në tavolinë, ndërsa në fazën e dytë ushtrimi vijoi edhe në ambjentet e bankës së përzgjedhur si Bankë Agjente.

Ushtrimi i Simulimit rezultoi i suksesshëm. Gjatë gjithë procesit mbizotëroi fryma e bashkëpunimit në grup, respektimi i detyrave të secilit grup dhe koordinimi i veprimeve ndërmjet tyre, shkëmbimi i eksperiencave dypalëshe.