Njoftim për shtyp mbi zhvillimin e ushtrimit të simulimit në datat 21 – 28 Shtator 2018

Publikuar më: 02-10-2018


Agjencia e Sigurimit të Depozitave zhvilloi në datat 21 – 28 Shtator 2018 një ushtrim  simulimi  me objekt   procesin e kompensimit të depozitave të siguruara.

Aktivitetet kryesore që u  simuluan   në këtë ushtrim  të rradhës  ishin  kryerja e pagesave sipas listë – pagesës së kompensimit të përgatitur nga “likuidatori”, gatishmëria operacionale dhe proceduriale e  Bankës Agjente  për kryerjen e pagesës së  kompensimit,    si edhe    gatishmëria e faqes zyrtare të internetit të Agjencisë si një nga kanalet kryesore të informacionit dhe komunikimit me publikun e gjerë dhe depozituesin në veçanti.

E veçantë e këtij  simulimi të rradhës  ishte pjesëmarrja    ndërinstitucionale  për zhvillimin e tij, konkretisht morën pjesë aktive Banka e Shqipërisë, Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK) në rolin e vëzhgueseve  dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë  me të cilin ASD ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, Banka Kombëtare Tregtare në rolin e Bankës Agjente, Banka Credins e përzgjedhur nga Agjencia si Banka që simuloi përgatitjen dhe  raportimin e   listë – pagesës  për kompensim me paraqitjen unike të depozituesve si dhe subjektet mbështetëse që Agjencia ka në dispozicion për mirëmbajtjen e Sistemit Informatik për Raportim dhe Kompensim (SIRK-ut) dhe faqes web të Agjencisë.

Natyrisht, në këtë ushtrim simulimi u përfshinë të gjithë sektorët e Agjencisë të cilët  përveç roleve sipas  funksioneve përkatëse kryen  edhe role të veçanta të parashikuara në skenarin e simulimit.

Në mënyrë të përmbledhur ky ushtrim simulimi kishte për qëllim:

  • Trajnimin dhe testimin e stafit të Agjencisë për kryerjen e një procesi kompensimi;
  • Testimin e gatishmërisë teknike si dhe konsolidimin e procedurave operacionale të Agjencisë për një proces kompensimi;
  • Testimin e gatishmërisë së bankës së simuluar në likuidim dhe bankës agjente për kryerjen e pagesave për kompensimin e depozitave të siguruara.

Më tej, ushtrimi i simulimit synoi identifikimin e çështjeve me të cilat njësitë përgjegjëse do të ndeshen në rast të një ngjarje sigurimi si dhe përfitimin e përvojës së nevojshme për zhvillimin e ushtrimeve të ngjashme të simulimit, si një mjet për rritjen e gadishmërisë institucionale për të përballuar sfida nga më të ndryshmet në përmbushje të misionit të Agjencisë. Ky simulim ishte gjithashtu një mjet shumë i mirë për të praktikuar zbatimin e kuadrit ekzistues rregullativ dhe operacional për menaxhimin e krizave, si dhe ndihmoi duke theksuar dhe një herë rëndësinë e zhvillimit të frymës së bashkëpunimit dhe punës në skuadër, elementë të domosdoshëm në administrimin e një ngjarje sigurimi.

Në këtë kuadër, për Agjencinë dhe strukturat organizative të saj, ky simulim ishte mjaft i vlefshëm pasi u nxorrën mësime dhe u zhvilluan diskutime mbi gjetje konkrete, të cilat vlerësohen se do të përmirësojnë aftësitë institucionale të Agjencisë dhe rrisin gatishmërinë e saj për t’u përgjigjur me efektivitet situatave të mundshme në një ngjarje sigurimi.

 

Momente gjatë zhvillimit të ushtrimit të simulimit

Image 1 of 12