Njoftim mbi pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm, Z. Mamani në Mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në Mbledhjet Vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore

Publikuar më: 22-05-2017


Drejtori i Përgjithshëm, Z. Mamani mori pjesë në Mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në Mbledhjen Vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), në Split, Kroaci në datat 17-18 maj 2017. Në mbledhjen e 10-të vjetore të EFSE u mbajt gjithashtu konferenca me temë “Krijimi i mundësive të përfshirjes financiare, nisma start–up dhe sipërmarrja”. Në këtë aktivitet morën pjesë guvernatorë dhe drejtues të lartë bankash qendrore, përfaqësues nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore, drejtues bankash dhe institucionesh mikrofinanciare, përfaqësues nga bota e biznesit dhe asaj të medias. Motoja e takimit të këtij viti ishte një shtrirje e natyrshme e fokusit të fondit në bizneset e vogla, krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike e vendeve të rajonit.

Fondi Europian për Europën Juglindore (European Fund for Southeast Europe) është një organizatë financiare europiane, e cila synon të promovojë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në rajonin e europës juglindore duke mundësuar mjete të vazhdueshme financimi për zhvillim. Fondi krijon dhe ofron instrumente financiarë afatgjatë institucioneve partnerë të kualifikuar për t’i shërbyer më mirë nevojave të subjekteve në nevojë me aktivitet të ulët dhe të mesëm. Nëpërmjet kësaj, fondi synon të mbështesë ekonomitë lokale në europën juglindore, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, të kënaqë nevojat bazike për strehim, si dhe të forcojë tregjet financiare vendore.