Njoftim mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar

Publikuar më: 26-01-2016


Tiranë, në 26.01.2016
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar
——————————————————————————————————-
Në datën 22 janar 2016, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Të pranishëm në mbledhje ishin Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve. Në mbledhje u diskutua kryesisht rreth:
– portaleve të tregtimit online,;
– gjendjes së sektorit bankar.
Portalet e tregtimit online, i japin mundësi të interesuarve të investojnë në bursa ndërkombëtare. Këto investime janë me rrezik të konsiderueshëm, ndaj GKSF vlerëson se publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato nëpërmjet subjekteve të licencuara, mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm në rastet kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto veprimtari. Hyrja dhe veprimtaria e rregulluar në treg e ndërmjetësuesve financiarë, në këtë rast përmes portaleve të tregtimit online, ndihmon në zhvillimin e kulturës financiare dhe të tregut financiar. Një veprimtari e rregulluar do të thotë ushtrim i kontrollit nga autoritetet mbikëqyrëse për të verifikuar se si mënyra e veprimit të subjektit ndërmjetësues nxit paraprakisht ndërgjegjësimin e investitorit për vlerësimin e rreziqeve që shoqërojnë investimet në bursa, kufizon madhësinë e humbjeve të mundshme dhe ofron transparencë të plotë për shpjegimin e tyre në rast ndodhjeje. Nga ana tjetër, një veprimtari e palicencuar dhe e pambikëqyrur, i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha.
Në këtë kuadër, GKSF fton publikun e interesuar të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, përkatësisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe nga Banka e Shqipërisë, të cilat gjenden në adresat e mëposhtme elektronike:
http://www.amf.gov.al/tletrave.asp?id=1&s=1 (ku, në rubrikën “Subjekte nën juridiksion”, mund të merret informacion për të gjithë subjektet e licencuara, duke përfshirë edhe ato që ofrojnë shërbimet e ndërmjetësimit për investime në tregjet ndërkombëtare).

https://www.bankofalbania.org/web/Rregjistri_i_Bankave_tregetare_50_1.php (ku, krahas informacionit për bankat, mund të kalohet tek rubrika “Regjistra të tjerë” dhe të merret informacion për Zyrat e Këmbimit Valutor, Subjektet Financiare Jobanka, Zyrat e Përfaqësimit, dhe Unionet e Shoqërive të Kursim-Kreditit).
Nga ana tjetër, GKSF nxit autoritetet përkatëse të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, mes tyre dhe me autoritete të tjera relevante të vendit dhe të huaja, për shkëmbimin e informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve që përmirësojnë kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij.
Në vijim të mbledhjes, GKSF shqyrtoi edhe gjendjen financiare të sektorit bankar. GKSF vlerëson se sektori bankar vijon të jetë i qëndrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Të dhënat e muajit nëntor 2015 tregojnë përmirësim të rezultatit financiar dhe përmirësim të cilësisë së portofolit të kredisë. Ky i fundit pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2016, si rezultat i procesit të largimit të kredive të humbura nga bilancet e bankave. Kreditimi i ekonomisë nga bankat ka qenë përgjithësisht i dobët, por pritshmëritë për ecurinë e tij gjatë vitit 2016 janë më pozitive. Përmirësimi i cilësisë së portofolit dhe rënia e normave të interesit të kredisë, qëndrueshmëria e niveleve të kursimit, përmirësimi i rritjes ekonomike dhe kërkesa më e ulët për huamarrje nga ana e Qeverisë, vlerësohet të jenë faktorë që do të rrisin ndikimin e tyre pozitiv në vendimmarrjen e bankave për kreditimin e ekonomisë së vendit. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet e tjera, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe për të forcuar kontributin e tij në rritjen ekonomike të vendit.