Mbi rezolutën e Kuvendit

Publikuar më: 24-05-2012


Në mbështetje të nenit 16 dhe 28 të ligjit nr. 8873 datë 29.03.2002 “Për sigurimin e depozitave„ i ndryshuar, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave znj.Silvana Sejko, në datën 14.05.2012 raportoi në Komisionin e Përhershëm për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me veprimtarinë ekonomiko financiare të institucionit të ushtruar për vitin 2011.

Kuvendi i Shqipërisë, pasi u njoh me raportin e veprimtarisë së ASD – së për vitin 2011 dhe me raportin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në lidhje me këtë çështje, konstaton se veprimtaria e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është ushtruar në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor e rregullator në fushën e sigurimit të depozitave.

Kuvendi i Shqipërisë, vlerësoi pozitivisht punën e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në veçanti në drejtim të:

  • Mbikëqyrjes në vijimësi të procesit të derdhjes nga bankat e nivelit të dytë të primit të sigurimit me ndikim të drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave nga ky burim;
  • Administrimit me efektivitet të mjeteve financiare të Agjencisë, nëpërmjet investimit të tyre në përputhje me standartet e menaxhimit të riskut;
  • Kontributit në rritjen e nivelit të depozitave të qytetarëve në sistemin bankar si dhe përparësinë që u ka dhënë depozitave në lekë, krahasuar me ato në valutë;
  • Thellimit të bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë dhe me institucionet ndërkombëtare, në fushën e sigurimit të depozitave.

Kuvendi kërkon që, për vitin në vijim, Agjencia e Sigurimit të Depozitave të thellojë më tej përvojën në drejtim të:

  • Modernizimit të kuadrit rregullator me qëllim rritjen e efektivitetit të sigurimit të depozitave, në përputhje me parimet bazë ndërkombëtare si dhe direktivën europiane në këtë fushë;
  • Automatizimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit për sistemin e raportimit dhe vlerësimit të primit të sigurimit;
  • Rritjen e nivelit profesional dhe të ndërgjegjësimit të publikut dhe të besueshmërisë së tij në sistem;
  • Rritjen e bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe institucionet financiare në vend.