Leksion i hapur i Z. Genci Mamani mbi rolin e ASD-së dhe skemën e sigurimit të depozitave në Universitetin Europian të Tiranës

Publikuar më: 07-05-2018


Më datë 04.05. 2018, në kuadër të politikave të Agjencisë për promovimin e skemës së sigurimit të depozitave dhe zhvillimin e fushatave promovuese me publikun shqiptar, me ftesë të Universitetit Europian të Tiranës, Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë, zhvilloi një leksion të hapur mbi rolin e ASD dhe skemën e sigurimit të depozitave.

Në këtë takim, në të cilin morën pjesë studentë dhe pedagogë të ndryshëm të këtij Universiteti, Z. Mamani analizoi rolin e ASD në administrimin e skemës së sigurimit të depozitave, në funksion të mbrojtjes së interesave të depozituesve shqiptarë dhe kontributit në stabilitetin financiar në vend. Ndër të tjera, u theksua angazhimi i Agjencisë për të qenë në vijimësi vigjilentë në rast ngjarje sigurimi të një banke të sistemit për të kompensuar shpejt dhe saktë çdo depozitues deri në nivelin maksimal të mbulimit. Në vijim të leksionit, Z. Mamani iu përgjigj edhe pyetjeve të bera nga audienca, ndër të cilat, në lidhje me strategjinë e de-euroizimit të Bankës së Shqipërisë, ai theksoi se Agjencia e mirëpret këtë strategji dhe ashtu si edhe në drejtim të politikave për ndërgjegjësimin e depozituesve lidhur me skemën e sigurimit të depozitave, do të marrë të gjitha masat për mirëinformimin e depozituesve shqiptarë lidhur me masat e ndërmarra në kuadër të kësaj strategjie nga Banka e Shqipërisë.