Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondi i Sigurimit të Depozitave në Republikën e Kosovës nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit.

Publikuar më: 04-06-2014


Në datën 4 qershor 2014, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK) nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit. Në aktivitetin e zhvilluar në Prishtinë, Kosovë, merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ASD, Z. Toni Gogu dhe Drejtoresha e Menaxhimit e FSDK, Znj. Violeta Arifi-Krasniqi. Gjithashtu ishin të ftuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z Ardian Fullani, Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Fehmi Mehmeti, Kryesuesja e Bashkëpunimit Zhvillimor, në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Znj. Henriette Kotter.
Memorandumi synon rritjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve përmes shkëmbimit të eksperiencës, forcimit të kapaciteteve njerëzore, si dhe përmirësimit të skemave të sigurimit të depozitave në juridiksionet përkatëse në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe ato evropiane.
Drejtori i Përgjithshëm i ASD, Z. Toni Gogu, në fjalën e tij, theksoi se Memorandumi do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë financiar për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Duke shprehur besimin se të dy institucionet do të bëjnë përpjekje maksimale për të zbatuar standardet më të mira ndërkombëtare, Z. Toni Gogu nënvizoi se ky Memorandum nënëshkruhet në një kohë kur “kuadri rregullativ i Bashkimit Europian për skemat e sigurimit të depozitave po përditësohet me qëllim përballimin me sa më pak kosto për depozituesit të situatave të vështira financiare. Po ashtu, Standartet Ndërkombëtare të Sigurimit të Depozitave (Core Principles) të IADI-t janë në proces rishikimi. Në këto kushte, dhe bazuar në rekomandimet e lëna nga Misionet FSAP që kanë audituar së fundmi sistemet financiare në Kosovë dhe Shqipëri, ASD dhe FSDK ndodhen përpara përqasjeve të reja që kërkojnë përmirësimin e mëtejshëm të skemave në dy vendet tona.”
Nënshkrimi i Memorandumit u përshendet dhe nga Guvernatori Fullani i cili vlerësoi rolin e rëndësishëm që luajnë agjencitë e sigurimit të depozitave në ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit.