Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondi i Sigurimit të Depozitave në Republikën e Kosovës zhvillojnë më tej bashkëpunimin e tyre.

Publikuar më: 28-07-2017


Institucionet e sigurimit të depozitave të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës i japin një hov të ri marrëdhënieve dypalëshe në drejtim të stabilitetit financiar të depozituesve përkatës. Më datë 27 Korrik 2017 drejtuesit ekzekutiv të ASD-së, Z. Genci Mamani, dhe FSDK-së, Znj, Violeta Arifi-Krasniqi, nënshkruan në Prishtinë Memorandumin e ri të Mirëkuptimit.

Në vijim të takimeve dhe konsultimeve të vazhdueshme, me qëllim rritjen e nivelit profesional dhe kapaciteteve siguruese dhe kompensuese, Memorandumin i Mirëkuptimit synon kryesisht krijimin e hapësirave për një bashkëpunim më profesional e gjithëpërfshirës në drejtim të përgatitjes për një ngjarje kompensimi. Ndër risitë kryesore që sjell Memorandumi është angazhimi i Autoriteteve nënshkruese për të realizuar ushtrime të përbashkëta simulimi si dhe ofrimi i asistencës së ndërsjellët, nëse gjykohet e nevojshme, në rastet e kompensimit. Ky zhvillim i mëtejshëm i nivelit të bashkëpunimit merr në konsideratë strukturat e përafërta organizative dhe realitetet e ngjashme financiare ku autoritet operojnë.

Me rastin e ceremonisë së nënshkrimit, Drejtori i Përgjithshëm i ASD, Z. Genci Mamani, mbajti një fjalë përshëndetëse në të cilën falënderoi ekipin drejtues të FSDK për bashkëpunimin shumë të frytshëm dhe siguroi se akti që të dy autoritetet po ndërmarrin, dëshmon për seriozitetin dhe profesionalizmin e ndërsjellët për të krijuar një mjedis sa më të sigurtë financiar në përputhje me standardet më të mira në disiplinën e sigurimit të depozitave. Nga ana e saj, Drejtoresha Menaxhuese e FSDK, Znj, Violeta Arifi-Krasniqi theksoi se bashkëpunimi në mes ASD-së së Shqipërisë dhe FSDK-së vërteton zotimin e të dyjave institucioneve për përmbushje të standardeve ndërkombëtare në fushën e sigurimit të depozitave bazuar në sinergjite e përbashkëta për ti shërbyer depozitorëve dhe stabilitetit financiar.

Në ceremoni merrte pjesë dhe Znj. Shkendije Himaj – Zekaj, Kryesuese e Bordit Menaxhues të FSDK-së si dhe drejtues të lartë të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave të Republikës së Kosovës.