Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkruan Marrëveshje Trepalëshe Bashkëpunimi me Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës dhe esisuisse (Fondin Zviceran të Sigurimit të Depozitave dhe Agjentëve të Tregtimit të Letrave me Vlerë).

Publikuar më: 17-12-2015


Më datë 14 dhjetor 2015 Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK) dhe Fondi Zviceran i Sigurimit të Depozitave dhe Agjentëve të Tregtimit të Letrave me Vlerë (esisuisse) nënshkruan Marrëveshjen Trepalëshe të Bashkëpunimit. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Z. Genci Mamani, Drejtoresha Menaxhuese e FSDK-së, Znj. Violeta Arifi Krasniqi dhe Drejtori Ekzekutiv i esisuisse, Z. Patrick Loeb. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit të Marrëveshjes u organizua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, në bashkëpunim me personelin diplomatik të kësaj Ambasade. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj Marrëveshje në ceremoni merrnin pjesë, krahas përfaqësuesve të lartë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, edhe Z. Mustafë Xhemajli, i ngarkuar me punë i përkohshëm në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zvicër, Znj. Gail Verley, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI-International Association of Deposit Insurers) si dhe zyrtarë të institucioneve nënshkruese.

Me këtë rast, në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i ASD, Z. Mamani theksoi se kjo Marrëveshje është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të Agjencisë me qëllim rritjen e bashkëpunimit me institucione homologe të sigurimit të depozitave. “Marrëveshja – tha ai – synon që përmes shkëmbimit të eksperiencave të forcojë kapacitetet njerëzore në funksion të përmirësimit të skemave të sigurimit të depozitave në juridiksionet përkatëse në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”. Z. Mamani shprehu gjithashtu vlerësimin e tij për Ambasadorin Ilir Gjoni dhe personelin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë duke theksuar se mikpritja e kësaj ceremonie nga ana e Ambasadës kontribuon në rritjen e rolit të Shqipërisë si promotor i bashkëpunimit dhe ndërveprimit në rajon dhe përtej.

Drejtoresha Menaxhuese e FSDK, Znj. Violeta Arifi Krasniqi, vlerësoi Marrëveshjen dhe bashkëpunimin që po institucionalizohet me nënshkrimin e saj. Ky kuadër bashkëpunimi që po nënshkruhet sot – tha ajo – krijon mundësine e zhvillimit të vazhdueshëm të institucioneve tona nëpërmjet adoptimit të praktikave më të mira të sistemeve efektive për sigurimin e depozitave.

Gjithashtu, Z. Patrick Loeb, Drejtori Ekzekutiv i esisuisse, u shpreh se financat janë një biznes global dhe do të jenë kështu akoma më shumë në të ardhmen. Më tej Z. Loeb shtoi se rreth 50% e klientëve të bankave në Zvicër janë të kombësive të huaja që jetojnë jashtë Zvicrës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve banojnë në Shqipëri dhe Kosovë, në raport me popullsinë në këto vende. Në këtë kuadër, kontaktet ndërkombëtare janë thelbësore për ne, dhe ne jemi krenarë për nënshkrimin e kësaj Marrëveshje. Nëpërmjet saj mund të kemi akses në informacione të vyera për aktivitetin tonë ndërkombëtar dhe na mundëson një dialog të frytshëm me përfaqësuesit përkatës në këto vende.

Nënshkrimi i Marrëveshjes u përshëndet edhe nga të ftuarit e tjerë, të cilët vlerësuan rëndësinë e saj si dhe rolin e institucioneve të sigurimit të depozitave në ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit financiar. Zj. Verley përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes, duke theksuar se kjo është Marrëveshja e parë trepalëshe që nënshkruhet në kuadër të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI).
Në kuadër të kësaj vizite, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave Z. Mamani, zhvilloi një takim në zyrat e SECO (Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike i Konfederatës Zvicerane). Në këtë takim u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me qëllim zhvillimin e kapaciteteve të Agjencisë në funksion të krjimit të një institucioni të standarteve europiane.