Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkruan kontratën me bankat agjente të përzgjedhura në listën paraprake.

Publikuar më: 01-02-2018


Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka nënshkruar kontratën me bankat agjente të përzgjedhura fituese në procedurën e zhvilluar për këtë qëllim, në kuadër të zbatimit të rregullores “Për kompensimin e depozitave të siguruara”, miratuar me urdhër të Guvernatorit nr. 3762, datë 18.07.2016. Nga kjo procedurë janë përzgjedhur fituese Banka Kombëtare Tregtare sh.a., Raiffeisen Bank sh.a. dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania sh.a.

Banka agjente është një hallkë shumë e rëndësishme në të gjithë zinxhirin e procesit të kompensimit, gjithmonë nëse do të ndeshemi më një proces të tillë në të ardhmen. Banka agjente do të jetë ajo që do të kryejë pagesat e kompensimit të depozitave në emër dhe për llogari të Agjencisë në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë (Autoriteti Mbikëqyrës).

Procesi i përzgjedhjes së Bankës Agjente kalon në dy faza. Faza e parë është vlerësimi i bankave anëtare të skemës, sipas kritereve të përgjithshme dhe teknike të miratuara në rregulloren “Për kompensimin e depozitave”. Kjo fazë u mbyll me përzgjedhjen dhe nënshkrimin e kontratës me këto tre banka. Pas vendosjes në listën paraprake, banka do të kryejë gjatë veprimtarisë së saj të përditshme, parapërgatitje për ofrimin e shërbimeve në përputhje me kushtet e përcaktuara në termat e referencës. Ndër të tjera, do të kërkohet që të marrë pjesë në simulimet për një ngjarje të siguruar, të organizuar nga Agjencia.

Ndërkohë, në një fazë të dytë do të kryhet vlerësimi i ofertave ekonomike nga bankat e përzgjedhura në listën paraprake për kryerjen e procesit të kompensimit të një subjekti anëtar të skemës, në rast të vendosjes së këtij subjekti në likuidim të detyruar nga Banka e Shqipërisë.