Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Korporatën Koreane të Sigurimit të Depozitave (KKSD)

Publikuar më: 03-12-2014


Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Korporata Koreane e Sigurimit të Depozitave (KKSD) nënshkruajnë Marrëveshjen e Bashkëpunimit më 2 Dhjetor 2014 në Seoul. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Z. Toni Gogu dhe Presidenti dhe Kryetari i Korporatës Koreane të Sigurimit të Depozitave, Z. Jo Hyun Kim. Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Marrëveshjes morën pjesë edhe Kryetari i Këshillit Drejtues të Agjencisë, Z. Genci Mamani dhe Drejtori Ekzekutiv i Marrëdhënieve me Jashtë të KKSD, Z. Wookho Chung.

Marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve përmes shkëmbimit të eksperiencës, forcimit të kapaciteteve njerëzore, si dhe përmirësimit të skemave të sigurimit të depozitave në juridiksionet përkatëse në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Kjo Marrëveshje përbën një hap tepër të rëndësishëm për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, në zbatim të politikave të saj për bashkëpunim me institucionet homologe, pasi Korporata Koreane e Sigurimit të Depozitave është lider në fushën e sigurimit të depozitave në shkallë ndërkombëtare dhe është cilësuar në 2012 Siguruesi Depozitave i vitit nga Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI). ASD është e bindur se kjo marrëveshje do të mundësojë zgjerimin e dialogut me KKSD dhe se shkëmbimi i informacionit do të rritet ndjeshëm nëpërmjet takimeve dypalëshe dhe intensifikimit të komunikimit të ndërsjelltë lidhur me çështje të spektrit rregullativ ashtu dhe të zbatimit të tyre në praktikë. Kjo marrëveshje krijon mundësinë e një bashkëpunimi efektiv ndërmjet Agjencisë dhe KKSD për të mbështetur reciprokisht iniciativat rregullatore në fushën e sigurimit të depozitave.

news-56-img-3
news-56-img-4