Në vëmëndje të punonjësve të bankës.

Depozitat e individëve të mbajtura në çdo bankë që zhvillon aktivitetin në Shqipëri janë të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD)  në përputhje me ligjin Nr 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”.

Bankat e licensuara nga Banka e Shqipërisë për grumbullimin e depozitave, janë subjekte të cilat kryejnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe zbatojnë juridiksionin shqiptar. Anëtarësimi i tyre ne skeme është i detyrueshëm.

Si anëtare në skemën e sigurimit të depozitave, bankat që anëtarësohen për herë të parë në skemë paguajnë kontribut fillestar dhe më pas primet vjetore për sigurimin e depozitave të depozituesve të tyre. Në rast se një bankë nuk ka mundësi të paguajë depozitat për arsye të cilat lidhen direkt me gjendjen e saj financiare, ASD-ja i kompenson depozituesit duke përdorur këto kontribute, si dhe fitimet nga investimi i tyre.

Për një kompensim të saktë dhe të shpejtë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të sistemit bankar dhe financiar në vend, është shumë e rëndësishme:

1. Hedhja e saktë e të dhënave për depozituesin dhe depozitën:

i. Regjistrimi i saktë i të dhënave identifikuese të depozituesit (Emër, mbiemër, numër personal, atësia, datëlindja, numër dokument   identifikimi).
ii. Regjistrimi i saktë i të dhënave kontaktuese të depozituesit (Numër telefoni, adresë banimi, adresë email-i).
iii. Regjistrimi i saktë i të dhënave për depozitën (Numri i llogarisë, shuma, norma e interesit të aplikuar, monedha, titullari i  depozitës, numri i titullarëve të depozitës & përqindja e tyre në depozitë).

2. Ndërgjegjësimi dhe informimi i saktë i depozituesit:

i. Punonjësi i bankës duhet të ndërgjegjësojë klientët e saj në lidhje me rëndësinë e përditësimit të të dhënave të tij, pas çdo ndryshimi të    mundshëm.
ii. Punonjësi i bankës duhet të informojë saktë klientët që:
a. Kufiri maksimal i sigurimit për çdo individ është 2,500,000 lekë, për çdo bankë të sistemit.
b. Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucioni i vetëm që siguron dhe kompenson depozitat e individëve në Republikën e Shqipërisë.
c. Sigurohen të gjitha depozitat e individëve në bankat që ushtrojnë aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë.
d. Sigurohen individët që kanë depozita në të gjitha bankat anëtare të skemës së sigurimit, rezidentë apo jo rezidentë/shqiptarë apo të huaj.
e. Depozituesit që ka më shumë se një depozitë/llogari i mblidhen të gjitha depozitat/llogaritë që ka në një bankë dhe sigurohet e kompensohet deri në 2,500,000 lekë.
f. Depozitat e përbashkëta ndahen sipas numrit të pronarëve të tyre dhe sigurohet pronari/depozituesi deri në 2,500,000 lekë.
g. Të gjitha depozitat e individëve në një bankë si në lekë dhe në monedhë të huaj sigurohen. Kompensimi i tyre bëhet në lekë.