Jetëshkrim

Z. Erjon Luçi

Erjon Luçi aktualisht mban postin e Zv. Ministrit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Ai ushtron detyrën e anëtarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave që prej vitit 2014. Më parë, Z. Luçi, ka qenë i angazhuar me Bankën Botërore duke dhënë rekomandime mbi strategjitë dhe politikat dhe duke luajtur një rol kyç në zbatimin e strategjive ekonomike. Ai ka zhvilluar punë të pavarura analitike dhe raporte ekonomike, përfshirë studime rajonale. Nga viti 1999 deri në vitin 2006 Z. Luçi ka punuar në Bankën e Shqipërisë, ku ka shërbyer si anëtar i komiteteve të ndryshme këshillues për Guvernatorin dhe/ose Këshillin Mbikëqyrës mbi formulimin e politikave monetare dhe programimit financiar, përcaktimin e normës së interesit, operacioneve monetare dhe të kursit të këmbimit, politikave fiskale, çështjeve administrative, etj., dhe për tre vjet ka qenë Drejtor i Departamentit të Kërkimit. Që prej vitit 1997, është pjesë e Departamentit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1996, Z. Luçi ka shërbyer për më shumë se një vit si Shef i Sektorit Monetar në Njësinë e Makroekonomisë pranë Këshillit të Ministrave. Z. Luçi mban gradën Doktor (Phd) nga Universiteti Stadffordshire në Angli, (1999-2002). Dizertacioni i tij titullohej “Ndërmjetësi Financiar në vendet në Tranzicion me fokus Shqipërinë“. Në po të njëjtin universitet, ai ka marrë gradën Master në Ekonomiks gjatë periudhës 1997-1999. Z. Luçi ka përfunduar studimet e larta në Ekonomiks, pranë Universitetit të Tiranës, ku është vlerësuar me medaljen “Student i Shkëlqyer”.

ASD
ASD