Jetëshkrimi

Znj. Nexhmije Çela

Zj. Nexhmije Çela është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2016. Ajo mban titujt profesionale, “Auditues Ligjor” dhe “Ekspert” në fushën e kontabilitetit e raportimit financiar, të taksave e tatimeve. Ajo e ushtron këtë profesion që nga viti 2000. Aktualisht, zj. Çela është partner drejtues (managing partner) dhe administrator në firmën e kontabilitetit dhe auditimit Crowe AL shpk, e regjistruar në Regjistrin publik të audituesve ligjore në Republikën e Shqipërisë.

Crowe AL shpk është anëtare e rrjetit ndërkombëtar Crowe Horwath International me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili renditet në vendin e tetë në botë.

Zj. Nexhmije Çela, ka përfunduar studimet e larta në vitin 1985, në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku është diplomuar Financiere e lartë.

Angazhimet e saj profesionale përfshijnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, siç janë entitete shtetërore e publike dhe ndërmarrjet shtetërore e pivate në fusha të tilla si prodhimi e shpërndarja e energjisë, ujësjelles-kanalizimet, ndërtimi, hoteleri-turizmi, edukimi, shërbimet financiare, tregtia etj.

Pas viteve 90-të, zj. Çela ka kryer trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit në fusha të tilla si kontabiliteti dhe raportimi financiar, auditimi, shërbimet e sigurisë dhe shërbimet e lidhura, taksat dhe tatimet, etj. Në kuadër të kualifikimit të vijueshëm profesional për çdo vit ajo ka realizuar  më shumë se 40 orë trajnime, ku janë aktualizuar njohuritë dhe janë marrë njohuri të reja për shërbime të ndryshme në interes të biznesit dhe në mbrojtje të interesit publik. 

Zj. Çela ka marrë pjesë në disa veprimtari shkencore e profesionale siç janë Konferenca për ristrukturimin e sistemit bankar në Shqipëri, organizuar nga Universiteti Staffordshire UK – EU PHARE programme; Konferenca Ndërkombëtare për Privatizimin, organizuar nga rregullatorët Europian në Amsterdam, Holandë; Konferencat e profesionit kontabël dhe të audituesit në Shqiperi, Francë, Itali, Greqi, etj.;  Kongreset botërore të kontabilistëve në Itali, Malajzi, Turqi, si edhe në shumë aktivitete të tjera profesionale.

Puna e pavarur si audituese ligjore në entitete të ndryshme biznesi, si shoqëritë tregtare vendase dhe të huaja, institucionet financiare, entitetet jo fitim prurëse dhe ato qeveritare, ka bërë të mundur që zj. Çela të akumulojë një eksperiencë të madhe në fushën e raportimit financiar, auditimit, tatim taksave dhe shërbimeve këshilluese për bizneset.

Zj. Çela zotëron njohuri dhe aftësi shumë te mira analizuese për problemet financiare, të tregut të sigurimeve dhe kapitaleve.

Gjatë viteve 2006-2013 ka shërbyer si anetare e Këshillit Drejtues të ASD-së.

ASD
ASD