Fjalorth

Autoriteti Mbikëqyrës

Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka si Autoritet Mbikëqyrës, Bankën e Shqipërisë.

Depozitë

Është një shumë parash që një individ ka depozituar pranë një institucioni anëtar të skemës së sigurimit të depozitave dhe të cilat ky institucion duhe t’i ripaguajë sipas dispozitave të një kontrate dhe dispozitave ligjore.

Depozitues

Është çdo individ rezident ose jorezident, shqiptar ose i huaj, i cili ka depozitë në një institucion anëtar të skemës së sigurimit të depozitave, në lekë ose në monedhë të huaj.

Fond rezervë

Është fond likuid i Agjencisë, i ngurtësuar pranë Autoritetit Mbikëqyrës i cili mun të përdoret për mbulimin e rreziqeve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj.

Kompensim

Procesi që ndërmer ASD, për kryerjen e pagesës për depozitat e siguruara të një institucioni që ka falimentuar dhe që është anëtar i skemës së Sigurimit. Ky proces mund të kryhet në njërën nga mënyrat: a) pagesës së shumës në lekë; b) transferimit të shumës që përfitohet nga depozituesi në një bankë anëtare të skemës; c) pagesës me çek; d) ose të tjera të miratuara nga Autoriteti Mbikëqyrës.

Llogari e pëbashkët

Është depozita e vendosur në dy ose më shumë emra si posedues të saj. Në këtë rast secili prej tyre përfiton nga sigurimi i depozitës deri në nivelin maksimal të mbulimit.

Llogari me person të autorizuar

Është depozita në të cilën vetëm titullari i saj ka të drejta të plota, i cili ka autorizuar një ose disa persona për të kryer veprime në emër tij. Në rastin e depozitave me person të autorizuar sigurohet dhe kompensohet vetëm titullari i depozitës.

Prim

Është vlera monetare që çdo subjekt anëtar i skemës i paguan Agjencisë me qëllim sigurimin e depozitave në këtë subjekt.

Raport i Audituesit te Jashtëm të Pavarur

Është një opinion mbi vërtetësinë dhe sinqeritetin e pasqyrave financiare (bilanc kontabel dhe pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin financiar). Zgjedhja e audituesit bëhet sipas ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i Agjencisë.
Ky opinion publikohet në Raportin Vjetor të Agjencisë.

Raport vjetor

Raport formal mbi veprimtarinë e Agjencisë i cili përmban gjithashtu pasqyrat financiare të institucionit si dhe raportin e auditorit të pavarur.
Ky raport së bashku me pasqyrat financiare i dërgohen Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Autoritetit Mbikëqyrës. Agjencia e publikon raportin në faqen e saj zyrtare të internetit.

Rreziku moral

Është rreziku nga perceptimi i imazhit. Agjencia është e ekspozuar ndaj impaktit nga ngjarje me rrezik që lidhen me mungesën e edukimit ose me mungesën e ndërgjegjësimit të publikut mbi rolin dhe funksionin e Institucionit.

Sigurim

Është kalimi i rrezikut deri në nivelin maksimal të mbulimit, nga subjekti që mbledh depozitat, tek Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Sigurimi i depozitave

Sigurimi i depozitave është sistemi i krijuar në Republikën e Shqipërisë për mbrojtjen e individit nga humbja e depozitave të tij të vendosura në një institucion anëtar të skemës së sigurimit të depozitave, në rast se institucioni vihet në likuidim. Sigurimi i depozitave dallon nga sigurimet e tjera sepse depozituesi nuk paguan për të qenë i mbuluar me sigurim, pasi primi i sigurimit paguhet nga institucioni anëtar i skemës.