Seminar i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave me përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë të qarkut të Beratit dhe Fierit, me temë “Mbi riskun operacional dhe transparencën e produkteve bankare si dhe reflektimi i këtyre çështjeve në ligjin “Për Sigurimin e Depozitave””

Data e fillimit: 15/11/2013
Data e mbarimit 15/11/2013
Vendndodhja: Berat

Pershkrimi:

Në datën 15 nëntor 2013, në ambjentet e Qëndres Kërkimore të Bankës së Shqipërisë në qytetin e Beratit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave zhvilloi në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë seminarin me temë “Mbi riskun operacional dhe transparencën e produkteve bankare si dhe reflektimi i këtyre çështjeve në ligjin “Për Sigurimin e Depozitave”.

ASD-ja realizoi këtë seminar në bashkëpunim me Departamentin e Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë. Morën pjesë në këtë takim drejtorët e Degëve të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Berat, Lushnje, Skrapar, Kuçovë dhe Ura Vajgurore.
Në seminar u trajtua rëndësia që ka për ASD-në bashkëpunimi me sektorin bankar edhe në nivel lokal. Në të u nënvizua rëndësia që ka mirëmbajtja e të dhënave të depozituesve në rregjistrat e bankës dhe ndërgjegjësimi i këtyre të fundit për rolin dhe funksionin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Temat e referuara si :“Cilësia e mbajtjes së të dhënave të depozituesve, ndikimi në procesin e kompensimit”, “Sistemet e parandalimit të pastrimit të parave”, “Instrumentat e qeverisjes së riskut operacional”, synonin të evidentonin rëndësinë e njohjes së klientit bankar, domosdoshmërinë e rregjistrimit saktë të të dhënave për depozituesin dhe depozitat, si dhe përmirësimin e përditësimin e këtyre të dhënave në këndvështrimin e dy ligjeve, ligjit “Për sigurimin e depozitave” dhe ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe te rregullores “Për administrimin e rrezikut operacional”.
Ndërsa temat “Ndërgjegjësimi i konsumatorit/depozituesit për sigurimin e depozitave” dhe “Transparenca e produkteve dhe e shërbimeve bankare” synonin të vinin në dukje rëndësinë që ka informimi i saktë dhe në kohë i depozituesve në lidhje me sigurimin dhe kompensimin e depozitave; çështje e parë edhe nga këndvështrimi transparencës së produkteve bankare.
Ndërthurja e tematikave të referuesve rezultoi efikase dhe me rëndësi të ndërsjelltë për të gjithë të pranishmit.