Takimi i 5-të rajonal i EFDI Ballkan në Gjirokastër

Data e fillimit: 11/06/2017
Data e mbarimit 13/06/2017
Vendndodhja: Gjirokaster

Pershkrimi:

Takimi i 5-të rajonal i EFDI Ballkan, i organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, u zhvillua në Gjirokastër, nga data 11 deri më 13 qershor 2017. Ky takim ndjek një traditë të vazhdueshme takimesh mes autoriteteve të sigurimit të depozitave të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm; Bosnje dhe Hercegovinë, përfaqësuar nga Z. Josip Nevjestic, Drejtor i Përgjithshëm; Kroaci, përfaqësuar nga Znj. Marija Hrebac, Drejtore e Përgjithshme; Maqedoni, përfaqësuar nga z. Goran Ancheski, Drejtor i Përgjithshëm; Mali i Zi, përfaqësuar nga zoti Predrag Markoviç, Drejtori i Përgjithshëm dhe Serbia, të përfaqësuar nga z. Srdjan Mihajloviç dhe z. Vladimir Medan, respektivisht kryetar dhe anëtar i bordit të drejtorëve, me qëllim të diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe njohurive.

Forumi Europian i Siguruesve të Depozitave (European Forum of Deposit Insurers-EFDI) është një organizatë europiane e siguruesve të depozitave, në të cilën Agjencia është anëtare, me qëllim kontributin në stabilitetin e sistemeve financiare nëpërmjet bashkëpunimit në nivel europian dhe ndërkombëtar në fushën e sigurimit të depoziave, zgjidhjen e krizave, shkëmbimit të eksperiencave dhe informacioneve etj. EFDI gjithashtu angazhohet në konsultime të instrumentave rregullativë europianë me institucione të Bashkimit Europian, veçanërisht Direktivës për skemat e garantimit të depozitave.

Sfidat, perspektivat, çështjet e interesit të përbashkët etj., ishin disa prej çështjeve që drejtuesit ekzekutivë që përfaqësonin institucionet e sigurimit të depozitave diskutuan gjatë takimit, ku ndër të tjera u theksuan zhvillimet e fundit në çdo juridiksion, rastet e kompensimit, dialogu mbi stabilitetin financiar brenda rrjeteve të tyre përkatëse të sigurisë, roli i siguruesve të depozitave në kuadrin e iniciativave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe marrëdhëniet me autoritetet mbikëqyrëse në lidhje me këtë.

Me ftesë të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në takim mori pjesë edhe zëvendëskryetari i EFDI-t dhe njëkohësisht drejtor i përgjithshëm i skemës së sigurimit të depozitave  të Zvicrës Z. Patrick Loeb, i cili iu paraqiti të gjithë pjesëmarrësve ndryshimet e fundit të Statutit të EFDI-t dhe ndryshimet brenda strukturës organizative të EFDI, si dhe projektet e ardhshme të cilat synojnë të forcojnë organizatën dhe anëtarët e saj. Gjithashtu, në këtë takim moren pjesë si të ftuar të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Drejtoresha e Fondit për Garantimin e Depozitave dhe Investimeve të Greqisë (TEKE), Znj. Georgia Karageorgi, Drejtoresha Menaxhere e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (DIFK), Znj. Violeta Arifi Krasniqi dhe Fondi Bullgar i Sigurimit të Depozitave (BDIF), Z. Bisser Manolov, anëtar i bordit.