Çfarë sigurohet?

“Depozitë e sigurueshme” është vlera e agreguar e të gjitha depozitave të një depozituesi, përfshirë interesin e përllogaritur të tyre në ditën e vlerësimit ose të shpalljes së falimentimit në një subjekt anëtar të skemës, përveç përjashtimeve të përcaktuara nga ligji “Për Sigurimin e Depozitave” (renditur më poshtë).

Depozitë e siguruar në bankë dhe degë të saj është pjesa e depozitës së sigurueshme e një depozituesi, por në çdo rast jo më shumë se 2.500.000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës së tyre, të depozituara në këtë bankë;

Depozitë e siguruar në SHKK, është pjesa e depozitës së sigurueshme e një depozituesi, por në çdo rast jo më shumë se 2.000.000 (dy milionë) lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës të tyre, të depozituara në këtë SHKK.

ASD SIGURON:

  • Depozitat me afat;
  • Depozitat pa afat;
  • Llogari rrjedhëse;
  • Llogari kursimi;
  • Depozita apo llogari të tjera bankare, kombinime të produkteve bankare të sipërcituara, të sigurueshme nga Agjencia.

DEPOZITUESIT NUK KANË ASNJË KOSTO për sigurimin e depozitave të tyre. Bankat kanë detyrimin ligjor të paguajnë për to.

Depozitat që përjashtohen nga sigurimi dhe kompensimi nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave janë:

a) pjesa e depozitës në bankë ose degën e bankës së huaj me vlerë mbi 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvlerën), në monedhë të huaj;
b) pjesa e depozitës në shoqërinë e kursim-kreditit me vlerë mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvlerën), në monedhë të huaj;
c) depozitat e bankës, degës së bankës, degës së bankës së huaj dhe shoqërisë së kursim-kreditit në emër dhe për llogari të vet, si dhe çdo subjekt tjetër financiar i licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
ç) depozitat e drejtorit, administratorit në bankë dhe familjarëve të tyre, sipas çertifikatës së gjendjes familjare;
d) depozitat e çdo personi që zotëron 5 për qind ose më shumë në kapitalin e subjektit anëtar ose të aksioneve me të drejtë vote në këtë subjekt;
dh) depozitat e prejardhura nga veprimtari të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, të cilat janë deklaruar të paligjshme me vendim gjykate të formës së prerë;
e) depozitat e shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, vendase ose të huaja;
ë) depozitat e subjekteve të sipërmarrjes ose investimeve kolektive, vendase ose të huaja;
f) depozitat e fondeve të pensionit ose sigurimit pensional, vendase ose të huaja;
g) tituj të emetuar nga subjekte financiare dhe çdo lloj detyrimi tjetër që këto subjekte kanë bazuar mbi marrëveshjet e tyre të premtimit;
gj) depozitat e njësive të pushtetit qendror ose vendor, si dhe çdo enti publik të Republikës së Shqipërisë ose të një vendi të huaj;
h) depozitat të paemërtuara dhe/ose titulli i të cilave nuk përcaktohet qartë;
i) depozitat e vendosura në subjektin anëtar të skemës së sigurimit të depozitave gjatë dhe pas ditës së ngjarjes së sigurimit në këtë subjekt;
j) depozitat e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërisë së kursim-kreditit, sipas përcaktimeve në ligjin për shoqëritë e kursim-kreditit, përveç asamblesë së përgjithshme;
k) depozitat e personave juridikë, përveç atyre të përcaktuara në pikën 17, të nenit 3, të  ligjit “Për sigurimin e depozitave”.