Profili ASD

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) u krijua në vitin 2002 dhe kryen aktivitetin e saj në bazë të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar. ASD administron skemën e sigurimit të depozitave e cila mbulon depozitat e individëve në të gjitha bankat që veprojnë në Shqipëri (16 banka). Ligji “Për sigurimin e depozitave”, gjithashtu e ngarkon ASD-në të ndërmarrë sigurimin e depozitave edhe në Shoqëritë Kursim Kredi (SHKK).

Sigurimi i depozitave, aktualisht është i detyrueshëm për të gjithë bankat. ASD mbron vetëm depozitat e personave fizikë deri në 2.5 milion lekë për depozitues, për bankë; dhe deri në 2 milion lekë për depozitues, për SHKK. Depozitat në valutë janë të siguruara deri në të njëjtën shumë, por kompensohen në lekë, me kursin e këmbimit të monedhës në ditën e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikqyrës (Banka e Shqipërisë). ASD është e mandatuar me ligj të rimbursojë depozituesit brenda 3 muajve nga data e ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë në një subjekt të siguruar.

Agjencia ka krijuar fondin e sigurimit të depozitave i cili  rritet nga viti në vit dhe  shërben për sigurimin e depozitave. Financimi i skemës së sigurimit të depozitave fillimisht është bërë nga buxheti i shtetit dhe ka vijuar të rritet nëpërmjet pagesës së kontributit fillestar të subjekteve që anëtarësohen për herë të parë dhe pagesës së primit të sigurimit periodik. Primi i sigurimit të depozitës përllogaritet nga subjektet dhe paguhet  në llogarinë e Agjencisë në Bankën e Shqipërisë, në tremujorë.

ASD administrohet nga Këshilli Drejtues dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm.

ASD është një model “paybox” (arkë pagese) dhe sipas ligjit gjithashtu mund të përdorë metoda të ndryshme për zgjidhjen e bankave me anë të transferimit të fondeve që përfaqësojnë të drejtat e depozituesëve të siguruar.