Parimet Themelore për Sisteme Efikase të Sigurimit të Depozitave (Core Principles for Effective Deposit Insurance Systems)*

Shkarko materialin këtu.

Në korrik 2008, Komiteti i Bazelit për Mbikqyrjen Bankare (BCBS) dhe Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI) vendosën të bashkëpunojnë me qëllim zhvillimin e një grupi parimesh bazë të sigurimit të depozitave, të cilat do të ishin të pranuara ndërkombëtarisht. Materiali i krijuar nga grupet e punës, i quajtur Parimet Themelore për Sisteme Efikase të Sigurimit të Depozitave (Core Principles for Effective Deposit Insurance Systems), përfundoi në Mars 2009 dhe u pranua nga komuniteti ndërkombëtar Qershor 2009.

Parimet Themelore si dhe metodologjia e tyre për vlerësimin e përputhshmërisë janë ndërtuar dhe përdoren nga institucionet e sigurimit të depozitave në juridiksione të ndryshme në gjithë botën si një referencë për të vlerësuar cilësinë e sistemeve të sigurimit të depozitave si dhe për të identifikuar mangësitë në praktikat e sigurimit të depozitave dhe masat për adresimin e tyre. Parimet Themelore përdoren gjithashtu nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) për të vlerësuar efikasitetin e skemave të sigurimit të depozitave. Parimet Themelore janë elastike dhe të krijuara për t’iu përshtatur me specifikave dhe strukturave të juridiksioneve të ndryshme. Qëllimi kryesor i Parimeve Themelore është krijimi i një kuadri udhëzues, i cili mbështet praktikat efektive të sigurimit të depozitave.

Duke vlerësuar mësimet e nxjerra nga kriza globale financiare dhe zhvillimet në ambientin rregullativ, Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI) identifikoi nevojën e rishikimit të Parimeve Themelore me qëllim përmirësimin dhe ruajtjen e standardeve të tyre ndërkombëtare. Grupi i Përbashkët i Punës, me ekspertë nga Komiteti i Bazelit për Mbikqyrjen Bankare (BCBS), Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI), Komisioni Evropian, Forumi Evropian i Siguruesve të Depozitave (EFDI), FMN, Banka Botërore, etj., hartuan versionin e rishikuar të Parimeve Themelore. Në Tetor 2014, Këshilli Ekzekutiv i IADI-t miratoi zyrtarisht versionin e përgatitur nga Grupi i Punës. Parimet Themelore të rishikuara forcojnë standardet e sigurimit të depozitave në disa aspekte përfshirë, shpejtësinë e kompensimit, nivelin maksimal të mbulimit, financimi dhe mirëqeverisja e skemës, duke përmirësuar rolin e siguruesve të depozitave në lidhje me përgatitjet për dhe administrimin e krizave të mundshme financiare. Disa nga përmirësimet kryesore lidhen me:

  • Përmirësimin i qartësisë dhe konsistencës së terminologjisë;
  • Reduktimin e mbivendosjeve dhe duplikimeve në disa prej Parimeve Thelbësore;
  • Forcimin e Parimeve Thelbësore në disa fusha (p.sh. mirëqeverisja, kompensimi i depozituesve, nivelet maksimale të mbulimit, financimi i skemave, etj.);

Si rezultat i këtij rishikimi, numri i Parimeve Thelbësore u ul nga 18 në versionin aktual në 16 në versionin e rishikuar, i cili përmbledh 96 kritere vlerësimi.

* Shënim
Duke marrë në konsideratë karakterin teknik dhe terminologjinë specifike të Parimeve Themelore për Sisteme Efikase të Sigurimit të Depozitave (Core Principles for Effective Deposit Insurance Systems), versioni i publikuar në këtë seksion të faqes zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i cili përfshin ndër të tjera dhe metodologjinë e vlerësimit të përputhshmërisë, është në gjuhën angleze.